Me rastin e 12 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, në Pejë u promovua murali kushtuar Kartës Rinore Evropiane, një iniciativë e përbashkët e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe organizatave rinore të qytetit.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili përshëndeti iniciativën dhe përgëzoi të rinjtë e Pejës për punën e tyre artistike dhe angazhimin në jetën e komunitetit.
Në kuadër të këtij organizimi u prezantua edhe një tjetër nismë me rëndësi për të rinjtë e qytetit – krijimi i Asamblesë së të Rinjve të Pejës, në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Asambleja synon të krijojë një hapësirë të re për pjesëmarrje, dialog dhe angazhim qytetar, duke u dhënë të rinjve mundësi më të mëdha për të shprehur idetë dhe për të qenë pjesë aktive e proceseve që ndikojnë në zhvillimin e komunitetit.
Përmes artit, pjesëmarrjes dhe bashkëpunimit institucional, synohet krijimi i mundësive të reja për të rinjtë dhe fuqizimi i rolit të tyre në jetën publike të Pejës.
Në mesazhin drejtuar të rinjve u theksua rëndësia e guximit për të ëndërruar dhe punuar për realizimin e synimeve, me porosinë se Peja ka nevojë për energjinë, kreativitetin dhe vizionin e të rinjve të saj.
Aktiviteti u përmbyll me urimet për të gjithë të rinjtë me rastin e 12 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.






