KB Peja po kalon një periudhë të vështirë në kampionatin e Kosovës, me pesë humbje radhazi dhe rezultate larg pritshmërive të klubit.
Drejtori sportiv i skuadrës, Arbër Elshani, ka folur për arsyet që, sipas tij, kanë ndikuar në këtë situatë, duke përmendur përgatitjen e dobët fizike, mungesën e formës së duhur dhe kontributin jo të kënaqshëm të disa basketbollistëve.
Elshani ka theksuar se klubi ka përmbushur obligimet ndaj lojtarëve dhe ka paralajmëruar se askush nuk do të ketë imunitet nëse nuk dëshmon angazhim dhe performancë në parket.
“Me fanellën e Pejës nuk ka hajgare”, është shprehur Elshani, duke bërë të ditur se mund të ketë largime të tjera nëse skuadra nuk tregon përmirësim.
Pas ndryshimit të trajnerit dhe ndërhyrjeve në përbërjen e ekipit, drejtuesit e klubit presin reagim të menjëhershëm nga basketbollistët.
Peja synon ta ndërpresë serinë negative në përballjen e ardhshme ndaj Sigal Prishtinës, ku objektivi kryesor mbetet rikthimi te fitorja dhe rezultateve që i takojnë pritshmërive të klubit dhe tifozëve.






