Drilon Gashi, ish-imam i Xhamisë Nur në Pejë dhe ish-këshilltar i Glauk Konjufcës, ka bërë të ditur se është larguar nga Kosova dhe aktualisht ndodhet në Gjermani, ku punon në sektorin e ndërtimtarisë.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka rrëfyer për vështirësitë në gjetjen e një vendi pune në Kosovë, duke thënë se, pavarësisht rreth 25 viteve të studimeve dhe përvojës profesionale, kishte aplikuar në rreth 60 vende pune pa arritur të sigurojë një mundësi të qëndrueshme punësimi.
Ai ka theksuar se përgjegjësitë familjare dhe vështirësitë ekonomike e kanë shtyrë të marrë rrugën e mërgimit.
Nga Gjermania, Gashi ka ngritur edhe shqetësimin për mungesën e perspektivës dhe mundësive për punësim në Kosovë, duke rikthyer në vëmendje fenomenin e largimit të qytetarëve nga vendi.
“Po flas nga Baushtella”, është mesazhi përmes të cilit ai ka zgjedhur ta rrëfejë përvojën e tij.






