E trishtë | Kjo është gruaja që u vra në Pejë, pak minuta pasi Policia e kishte kthyer në shtëpi pas denoncimit për dhunë në familje

Një grua që kërkoi mbrojtje nga dhuna në familje nuk arriti ta kalonte të gjallë mbrëmjen. Ajo u paraqit në Polici, u intervistua dhe u kthye në shtëpi nga zyrtarët policorë. Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtën shtëpi, u gjet e vrarë.

Peja Information mëson se viktima është Arlinda Sylaj Zekaj, 49-vjeçare, nga fshati Vitomiricë i Pejës, ndërsa i dyshuari për vrasjen është kunati i saj, Albert Sylaj.

Ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, më 25 tetor 2026, në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë.

Sipas informacioneve që ka siguruar PejaInfo, rreth orës 19:00, Arlinda ishte sjellë nga një patrullë policore në Stacionin Policor në Pejë, pasi ishte raportuar si viktimë e dhunës në familje.

Ajo ishte intervistuar nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Dhunës në Familje, ndërsa rreth orës 20:58 ishte dërguar nga patrulla policore në shtëpinë e saj.

Rreth dhjetë minuta pasi zyrtarët policorë ishin larguar, Policia pranoi një tjetër njoftim nga i njëjti lokacion. Këtë herë, bëhej fjalë për vrasje.

Njësia policore u kthye menjëherë në vendin e ngjarjes, ku brenda dhomës së gjumit gjeti Arlindën pa shenja jete.

Sipas informacioneve fillestare, Albert Sylaj, kunati i viktimës, dyshohet se e kishte goditur me sëpatë në kokë dhe më pas ishte larguar nga shtëpia.

Dyshohet se ai ishte larguar me një veturë Volkswagen Golf 3, me ngjyrë të kuqe, ndërsa targat e automjetit ende nuk janë identifikuar.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur ekipi i emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e 49-vjeçares.

Për rastin janë angazhuar hetuesit rajonalë dhe drejtuesit e Policisë në Pejë.

Rrethanat e kësaj ngjarjeje ngrenë një pyetje që kërkon përgjigje institucionale: Si përfundoi e vrarë një grua vetëm pak minuta pasi kishte kërkuar ndihmën e Policisë për dhunë në familje?

Ende nuk dihet se çfarë vlerësimi të rrezikut është bërë para kthimit të viktimës në shtëpi, nëse janë shqyrtuar masa mbrojtëse dhe çfarë rrethanash kanë çuar deri te vendimi për kthimin e saj.

Këto janë çështje që kërkojnë sqarim nga institucionet përgjegjëse, krahas hetimit penal për vrasjen.

Peja Information do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet e këtij rasti të rëndë.

Hot this week

Rast i rëndë në Pejë: Arrestohet një i dyshuar për dhunimin e një 13-vjeçareje

Një rast i rëndë i dyshuar i dhunimit të...

Aksident trafiku në Gurrakoc, detaje të para nga vendi i ngjarjes

Një aksident trafiku është raportuar në Gurrakoc, ku sipas...

Detaje të reja nga rasti i Arlinda Zekajt: Ish-bashkëshorti kundërshton masën e paraburgimit

Detaje të reja kanë dalë nga vendimi i Gjykatës...

Bie në prangat e Policisë dorasi i Arlinda Zekajt 

Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt,...

Topics

spot_img

Related Articles

Popular Categories

spot_imgspot_img