Një mosmarrëveshje verbale mes dy personave ka eskaluar në të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në fshatin Orroberdë të Istogut, ku një 33-vjeçar mbeti i plagosur, ndërsa personi i dyshuar për sulmin u arratis nga vendi i ngjarjes.
Siq raportoi Peja Information viktima është Dardan Haxhijaj, rreth 34-vjeçar, ndërsa i dyshuari për vrasje në tentativë është Vezir Haziraj, rreth 29-vjeçar..
Lidhur me gjendjen shëndetësore të Haxhijajt, Sinjali ka kontaktuar Emergjencën në QKUK. Naser Syla, shef i Emergjencës, ka bërë të ditur se i lënduari është sjellë në mëngjes nga Spitali i Pejës dhe, pas ekzaminimeve të kryera në QKUK, është dërguar në sallën operative nga ekipet e Kirurgjisë Vaskulare dhe Anestezionit.
Sipas Sylës, gjendja shëndetësore e të plagosurit është e rëndë, por stabile për momentin.
“Po është duke u trajtuar në QE një i lënduar me armë sklopetare ,është sjellë në orët e mëngjesit nga spitali pejës,pas egzaminimëve të kryera në QE pacienti është dergu në sallë operative të QE nga ekipët e k. Vaskulare dhe anestezionit, gjendja është e rëndë por stabile për momentin. Do të vazhdonë trajtimin në MIQ.”, tha ai.
Bazuar në deklarimet e dëshmitarëve, mes Haxhijajt dhe Hazirajt kishte nisur një mosmarrëveshje verbale, e cila më pas kishte eskaluar. Në ato momente, Haziraj dyshohet se ka përdorur armën e zjarrit, duke qëlluar dhe plagosur Haxhijajn në pjesën e sipërme të këmbës së majtë.
Pas të shtënave, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, ndërsa dëshmitarët e kanë marrë të plagosurin me veturë dhe e kanë dërguar deri te Hotel Onix në Banjë, ku i është ofruar ndihma e parë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.






