Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet në komunikacionin rrugor në rajonin e Pejës, ku vetëm gjatë dy fundjavave të para të muajit tetor 2026 janë shqiptuar gjithsej 1,005 tiketa për kundërvajtje në trafik.
Sipas të dhënave të konfirmuara nga Driton Rugova, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës, gjatë fundjavës së parë janë shqiptuar 496 tiketa, ndërsa gjatë fundjavës së dytë 509.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe shkelje serioze të rregullave të komunikacionit, përfshirë parakalime të rrezikshme dhe tejkalime të mëdha të shpejtësisë.
Në Leshan të Pejës, një shofer është ndëshkuar për parakalim të rrezikshëm me gjobë prej 200 eurosh, dy pikë negative dhe ndalim të drejtimit të automjetit për tre muaj.
Ndërkohë, në fshatin Qyshk, në rrugën Prishtinë–Pejë, ku shpejtësia e lejuar është 60 km/h, janë regjistruar dy raste shqetësuese.
Më 10 tetor, një shofer është kapur duke lëvizur me 164 km/h, ndërsa më 11 tetor një tjetër me 140 km/h. Të dy janë gjobitur me nga 500 euro, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse prej gjashtë muajsh.
Shoferit të dytë, i cili rezultonte se kishte ndalesë aktive për drejtimin e automjetit deri më 18 nëntor 2026, Policia ia ka sekuestruar edhe veturën.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, me qëllim parandalimin e aksidenteve, ndëshkimin e kundërvajtësve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Respektimi i rregullave të trafikut është përgjegjësi e secilit. Shpejtësia e tepërt rrezikon jetë!






