Një 47-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e së shtunës në Pejë, pasi u gjet në gjendje të rëndë në bodrumin e një objekti banesor dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetojë.
viktima është Fejgim Zeli, 46 vjeçar.
Sipas burimeve, rreth orës 20:30, Policia u njoftua nga një qytetar se në bodrumin e banesave të kuqe, përballë Fakultetit Juridik në rrugën “UÇK” në Pejë, ndodhej një person i shtrirë në tokë, i cili po pësonte konvulsione.
Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë menjëherë ekipi i Urgjencës, i cili e ka transportuar viktimën në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Burimet bëjnë të ditur se ai kishte ende shenja vitale kur u fut në autoambulancë, por gjendja e tij u përkeqësua gjatë rrugës.
Mjekët kanë konstatuar se 47-vjeçari kishte mbërritur në spital pa shenja jete, ndërsa vdekja e tij është konstatuar në orën 21:20.
Fillimisht, viktima nuk kishte me vete dokumente identifikimi, por gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes policia ka gjetur një letërnjoftim, i cili dyshohet se i përkiste të ndjerit, duke bërë të mundur identifikimin e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, krimteknika dhe njësitë rajonale të hetimeve, të cilat kanë kryer të gjitha veprimet procedurale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.






