Një person është arrestuar në Pejë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të dhunimit seksual.
PejaInformation kishte raportuar fillimisht për këtë rast më 15 nëntor, pasi kishte siguruar informacione jozyrtare se gjatë mbrëmjes së së shtunës në Pejë kishte ndodhur një rast i dyshuar i dhunimit seksual.
Sipas informatave të pranuara nga redaksia, viktima ishte një vajzë rreth 20-vjeçare, e cila pas rastit dyshohej se ishte dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Pas raportimit, redaksia e PejaInformation kishte kërkuar konfirmim zyrtar nga organet kompetente lidhur me rastin.
Rastin e kishte konfirmuar për PejaInformation Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, i cili kishte bërë të ditur se rasti ndodhej në fazën e hetimeve.
Sipas Nikçit, me urdhër të prokurorit të rastit po ndërmerreshin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ekzaminimet përkatëse, ndërsa njësitë relevante po punonin për identifikimin dhe gjetjen e personit të dyshuar.
Ndërkaq, në raportin e fundit, Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e një mashkulli kosovar, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë rast.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim.
I dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
PejaInformation






