Pas reagimeve të shumta që mori postimi ynë i mëhershëm lidhur me situatën aktuale te Besa dhe rezultatet e fundit të ekipit, kemi pranuar informacione dhe sqarime të reja nga burime që janë në dijeni për zhvillimet brenda klubit.
Sipas informatave të pranuara, problemet e ekipit nuk lidhen vetëm me rezultatet e fundit në fushë, por me një sërë çështjesh që kanë ndikuar në funksionimin e klubit.
Një prej pikave të ngritura është se fillimi i sezonit është kalkuluar gabimisht, ndërsa largimi i shtabit teknik, pavarësisht arsyeve që kanë çuar deri te ky vendim, ka krijuar një situatë të vështirë për klubin. Shtabi i ri teknik, sipas këtyre informatave, po përballet me vështirësi për ta menaxhuar dhe komponuar ekipin me fondin aktual të lojtarëve.
Një tjetër problem i rëndësishëm është gjendja financiare e klubit. Sipas informatave të pranuara, situata financiare nuk është në nivelin e nevojshëm për të krijuar stabilitet dhe për të bërë investimet e duhura në ekip.
Në këtë drejtim, muaji janar shihet si një periudhë e rëndësishme, pasi pritet të rishqyrtohet një pjesë e madhe e kontratave të lojtarëve dhe, nëse krijohen mundësitë, të ndërhyhet edhe me përforcime të reja.
Po ashtu, sipas informatave të pranuara, priten ndryshime edhe në strukturat drejtuese të klubit. Është ngritur edhe çështja e statusit të klubit dhe e përgjegjësive të aksionarëve, me pretendimin se disa prej obligimeve të marra përmes marrëveshjeve dhe kontratave nuk janë përmbushur në nivelin e pritur.
Një prej kërkesave kryesore që është ngritur është rritja e buxhetit të klubit, me qëllim që Besa të ketë mundësi të krijojë një ekip më konkurrues dhe të përballet denjësisht me objektivat e sezonit.
Gjithashtu, është ngritur edhe çështja e strukturës organizative. Sipas informatave, bordi dhe drejtuesit aktualë në një pjesë të madhe funksionojnë në mënyrë vullnetare, ndërsa është propozuar që në të ardhmen të përfshihen më shumë njerëz profesionistë në menaxhimin dhe drejtimin e klubit.
📌 Këto janë informacione të pranuara nga PejaInformation dhe paraqiten për informimin e opinionit publik. Nuk bëhet fjalë për përfundime të faqes sonë, ndërsa çdo palë e përfshirë në këtë situatë është e ftuar të japë sqarimet dhe versionin e saj.
Besa është një klub me traditë dhe me një bazë të madhe tifozësh, prandaj çdo zhvillim brenda klubit ka interes të madh për qytetin dhe sportdashësit.
Tash mbetet të shihet se cilat hapa do të ndërmerren në periudhën e ardhshme dhe nëse Besa do të arrijë ta ndryshojë situatën.
PejaInformation do të vazhdojë ta përcjellë këtë çështje.






