KB Peja ka njoftuar se punimet për renovimin e Palestrës së Sporteve “Karagaçi” do të nisin menjëherë, pas koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), operatorit të punimeve dhe drejtuesve të klubit.
Sipas njoftimit, është arritur pajtimi që renovimi të realizohet fillimisht në mënyrë të pjesshme dhe të koordinuar, me qëllim që aktivitetet sportive të KB Pejës të mos ndërpriten.
Në fazën e parë, punimet do të fokusohen në zhveshtore, banjo dhe korridore, duke i mundësuar klubit që të vazhdojë me stërvitjet dhe zhvillimin e ndeshjeve zyrtare.
Pas përfundimit të obligimeve të KB Pejës në FIBA Europe Cup, renovimi pritet të zgjerohet edhe në pjesën e brendshme të palestrës. Aty parashihen ndërhyrje në instalimet elektrike, vendosja e koshave të rinj, punime në parket si dhe instalimi i ndriçimit modern LED.
Sipas planifikimit, punimet deri në fund të muajit nëntor do të zhvillohen duke u përshtatur me kalendarin e aktiviteteve sportive të klubit, ndërsa muaji dhjetor pritet të shfrytëzohet për avancimin dhe përfundimin e pjesës kryesore të projektit.
Objektivi është që me fillimin e kampionatit pranveror, në janar të vitit 2027, Palestra e Sporteve “Karagaçi” të jetë e gatshme me kushte dukshëm më të mira për KB Pejën, sportistët dhe tifozët.
Ndryshe, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar kontratë për realizimin e këtij projekti me grupin e operatorëve ekonomikë NBT-ING SH.P.K. dhe EURO CONSTRUCTION NNP SH.P.K., në vlerë prej 275,251.60 euro.






